Republika e Shqipërisë

Republika e Shqipërisë

Tiranë

Në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë Shqiptare të Ekonomisë dhe Financave, Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Agjencinë Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional dhe Kualifikimeve si dhe institucionet e tjera arsimore shqiptare, Zyra Rajonale Tiranë zbaton projekte me fokus në fushat e arsimit e formimit profesional, zhvillimit të cilësisë shkollore dhe mësimdhënies e mësimnxënies të bazuar tek kompetencat.

Tematikat kryesore:

  • Arsimi profesional në shkollat e mesme dhe qendrat e formimit profesional (të 34 shkollat e mesme profesionale në Shqipëri si dhe 10 qendrat e formimit profesional me fokus drejtimin e turizmit dhe IT-së)
  • Zhvillimi i cilësisë shkollore dhe çështjet e barazisë gjinore
  • Mësimnxënia dhe mësimdhënia e bazuar tek kompetencat

Shembuj

AL-Tour: Rritja e cilësisë, rëndësia e tregut të punës dhe gjithëpërfshirjes sociale tek arsimi e formimi profesional në fushën e turizmit, hotelerisë dhe sektorit të mikpritjes në Shqipëri
Sektori i turizmit zotëron një potencial të fuqishëm për nxitjen e punësimit dhe rritjen ekonomike në Shqipëri duke ofruar kështu një kontribut të çmuar për uljen e papunësisë. Kushti i rëndësishëm paraprak për këtë është rritja e cilësisë dhe rëndësisë së tregut të punës në degën e turizmit dhe aksesimi i programeve të arsimit e formimit profesional në këtë sektor. Qëllimi i AL-Tour-it është përmirësimi i rëndësisë së tregut të punës, cilësisë dhe gjithëpërfshirjes sociale të programeve të ofruara të formimit e arsimimit profesional në sektorin e turizmit dhe mikpritjes.

Projekti AL-Tour zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me institucione të rëndësishme shtetërore, veçanërisht me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Agjencinë Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, Agjencinë Kombëtare të Punësimit, dy bashki si dhe përfaqësuese e përfaqësues të rëndësishëm nga industria e turizmit, partnerë socialë dhe subjekte biznesi. Përfitues të drejtpërdrejtë të projektit janë 10 shkollat e turizmit, 2 konvikte dhe dy qendra formimi profesional për të rriturit si dhe Agjencia Kombëtare e Arsimit dhe Formimit Profesional dhe Kualifikimeve. Gjatë gjithë kohëzgjatjes së vet, projekti Al-Tour përfshin e mbërrin tek rreth 150 drejtues/e shkollash, mësues/e të lëndëve të arsimit profesional, trajnues/e, koordinatorë të praktikave dhe staf konviktesh, 2500 nxënëse e nxënës, 50 trajnues dhe rreth 50 subjekte biznesi. Pas përfundimit të projektit, prej tij do të përfitojnë të gjithë personat që synojnë të kryejnë një shkollim e formim profesional në këtë fushë si dhe gjithë subjektet e biznesit që kërkojnë personel të mirë-kualifikuar në këtë fushë.

Rezultatet e pritshme janë:

  • Hartimi dhe futja e standardeve profesionale me ndjeshmëri gjinore për pesë profesione të këtij sektori.
  • Hartimi dhe integrimi i specifikimeve të cilësisë me ndjeshmëri gjinore që i përgjigjen Kornizës Kombëtare Shqiptare të Cilësisë si dhe i planeve mësimore.
  • Dy shkolla në fushën e hoteleri-turizmit janë shndërruar e konsoliduar si shkolla model.
  • Dy konvikte përdoren e shfrytëzohen si „Hotele mësimore-Light“.
  • Në të gjitha shkollat e turizmit është zhvilluar kompetenca për zbatimin e qëndrueshëm të planit të ri mësimor dhe për futjen e mësimit me ndjeshmëri gjinore.
  • Janë zhvilluar kriteret e cilësisë dhe udhëzuesit e praktikave pranë subjekteve të biznesit dhe është rritur numri i nxënëseve e nxënësve të disavantazhuar për kryerjen e praktikës pranë subjekteve të biznesit.
  • U caktuan dhe trajnuan koordinatorët/-et e praktikave profesionale tek të gjitha shkollat e turizmit.
  • Rritja e numrit të pranimeve të nxënësve me mundësi të kufizuara, veçanërisht i vajzave nga familje të disavantazhuara nëpërmjet krijimit të një kulture gjithëpërfshirëse në shkolla e hotele mësimore si dhe nëpërmjet aktiviteteve „outreach“.

Projekti financohet nga fondet e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim si dhe nga Ministria Federale e Arsimit, Shkencës dhe Kërkimit Shkencor.

Projekti rajonal “Shkolla takon biznesin” – School Meets Business (SmB)
Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut

Promovimi i cilësisë dhe i rëndësisë së tregut të punës të arsimit e formimit profesional nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit midis arsimit profesional dhe biznesit, veçanërisht në fushën e të nxënit bazuar tek puna „Work-based Learning“, vlen si prioritet i reformave në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Për këtë arsye, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë përzgjedhur „Promovimin e të nxënit në vendin e punës në të gjitha format e veta“ si një prioritet gjatë zbatimit të „Vendimeve të Rigës“.

Projekti „Shkolla takon biznesin“ fillon pikërisht këtu. Qëllimi është përforcimi i kompetencës së shkollave të arsimit e formimit profesional në tri vendet partnere për një bashkëpunim profesional me sektorin ekonomik, veçanërisht për organizimin e formateve të ndryshme të të nxënit pranë bizneseve. Në fokus është përcaktimi/përzgjedhja e koordinatorëve të biznesit në shkolla si pika kontakti të rëndësishëm ndërlidhës midis shkollës e biznesit. Projekti zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me ministritë përgjegjëse për arsimin e formimin profesional, agjencitë e formimit profesional, shkollat profesionale dhe bizneset.

Rezultatet e pritshme janë:

  • Profili i detyrave të punës së koordinatorëve të cilësisë pranë shkollave profesionale u mbështet e konsolidua nëpërmjet shkëmbimit rajonal përkatësisht brenda vendeve dhe u integrua brenda sistemit arsimor profesional.
  • Është hartuar respektivisht një studim i detajuar për secilin vend lidhur me formatet e ndryshme të të nxënit që bazohet tek puna „Work-based Learning“, të cilat edhe do të zbatohen.
  • U trajnuan 4 multiplikatorë e multiplikatore për secilin vend dhe rreth 40 koordinatorë biznesi për secilin vend (gjithsej pothuajse 120) të cilët i përdorin njohuritë e tyre në punën e përditshme.
  • Kriteret e cilësisë për bashkëpunimin shkollë-biznes zbatohen dhe kthehen në komponentë të sistemit të sigurisë së cilësisë shkollore.

Në kuadrin e rreth 70 aktiviteteve të zhvilluara në tri vende u përfshinë grupet e mëposhtme të synuara:

  • Grupet e përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë: 12 multiplikatorë e multiplikatore nga 3 shtete, 120 koordinatorë me biznesin nga shkollat profesinale të të tri vendeve.
  • Grupet e përfshira në mënyrë indirekte: rreth 40.000 nxënës nga 120 shkolla të arsimit profesional në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, 120 drejtorë e drejtoresha shkollash, personeli i mësuesve të shkollave si dhe partnerët e bashkëpunimit me bizneset.

Në Shqipëri, në kuadrin e projektit do të trajnohen koordinatorë dhe koordinatore me bizneset në të 34 shkollat e arsimit profesional (rreth 40 persona).

Krijimi i një kulture shkollore me ndjeshmëri gjinore si komponent i zhvillimit të cilësisë shkollore
Vajzat në Shqipëri janë të nën përfaqësuara në arsimin e formimin profesional me një pjesëmarrje më të ulët se 20%. Për këtë arsye, rritja e aksesit të vajzave e grave si pjesë e kualifikimeve profesionale dhe njëkohësisht edhe e tregut të punës, është kthyer në një nga prioritetet e Strategjisë Shqiptare për Punësim e Aftësi.

Duke u bazuar tek rezultatet e projektit „Promovimi i aksesit të vajzave drejt profesioneve teknike në shembullin e IT-së“, fokusi i këtij projekti është integrimi i aspekteve gjinore tek zhvillimi i cilësisë shkollore.

Që prej vitit 2018/2019, në Shqipëri po zbatohet në një hap të parë për futjen e një sistemi të sigurimit të cilësisë QA, procesi i vetëvlerësimit shkollor (SA) në arsimin profesional. Për këtë qëllim u hartua një Kornizë e Cilësisë Shkollore si dhe instrumentet përkatëse të vetëvlerësimit.

Në kuadrin e projektit Krijimi i një kulture shkollore me ndjeshmëri gjinore si komponent i zhvillimit të cilësisë shkollore u integruan indikatorët gjinorë tek instrumentet e vetëvlerësimit shkollor në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional dhe Kualifikimeve dhe koordinatorët e çështjeve barazisë gjinore të shkollave profesionale shqiptare.

Po trajnohen grupe pune në shkolla (koordinatorët e çështjeve të barazisë gjinore dhe vetëvlerësimit, drejtorët e shkollave) me qëllim shfrytëzimin e rezultateve të procesit të vetëvlerësimit të shkollave për zhvillimin e cilësisë shkollore dhe në këtë mënyrë krijimin e një kulture shkollore me ndjeshmëri gjinore.

Rezultatet e pritshme janë:

  • Aftësimi i drejtoreshave dhe drejtorëve të shkollave si dhe koordinatoreve e koordinatorëve përkatës nga të 34 shkollat e arsimit profesional në Shqipëri për t`i përdorur rezultatet për një rritje të qëndrueshme të cilësisë shkollore (planet e zhvillimit shkollor).
  • Udhëzuesit e procesit të vetëvlerësimit të shkollave të arsimit profesional janë pajisur me indikatorë dhe kritere të rëndësishme gjinore dhe do të merren në konsideratë për zhvillimin e cilësisë në të gjitha shkollat e arsimit profesional (tek planet e zhvillimit të shkollave).
  • Aftësimi i 34 koordinatorëve të zhvillimit të cilësisë në të 34 shkollat e arsimit profesional në Shqipëri për t`i konsideruar aspektet gjinore si pjesë e vetëvlerësimit shkollor dhe për t`i aplikuar me sukses rezultatet e vlerësimit tek zhvillimi i cilësisë shkollore (tek planet e zhvillimit të shkollave).
  • Aksesi dhe barazia e vajzave në arsimin profesional shqiptar dhe në tregun e punës falë integrimit të aspekteve gjinore tek zhvillimi i cilësisë shkollore.

Në rreth 15 aktivitete u përfshinë grupet e mëposhtme të synuara:

  • Grupet e përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë: Drejtoreshat dhe drejtorët e të 34 shkollave të arsimit profesional në Shqipëri, koordinatoret dhe koordinatorët shkollor të vetëvlerësimit dhe zhvillimit të cilësisë nga të 34 shkollat e arsimit profesional në Shqipëri, përfaqësues të Agjencisë së Arsimit e Formimit Profesional dhe Kualifikimeve.
  • Grupet e përfshira në mënyrë indirekte: Personeli mësimdhënës dhe nxënësit e të 34 shkollave të arsimit profesional në Shqipëri, subjektet ekonomike të biznesit, partneritetet shkollore.

Shkolla e IT-së Hermann Gmeiner Tiranë (2014 – 2019)
Nevoja për specialistë të arsimuar e formuar mirë në fushën e IT-së në Shqipëri sa vjen e shtohet. Nëpërmjet arsimimit e formimit të saj të lartë cilësor që i përgjigjet standardeve ndërkombëtare, shkolla austriake në Shkodër ofron një kontribut të rëndësishëm në këtë fushë me degën e vet të Teknologjisë së Informacionit me fokus tek Teknika e rrjetave dhe mediave. Duke u nisur nga ky fakt, Ministra Shqiptare e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria Federale Austriake e Arsimit, Shkencës dhe Kërkimit shkencor ranë dakord që ta përdornin këtë përvojë dhe ekspertizë në një projekt të përbashkët, për të ngritur edhe në Tiranë një shkollë të mesme profesionale sipas modelit të HTL-së austriake në Shkodër (Shkolla austriake „Peter Mahringer“).

Qëllimi i projektit është që nëpërmjet mbështetjes së dhënë për ngritjen e shkollës profesionale „Hermann Gmeiner“ me fokus teknologjinë e informacionit dhe komunikimit në Tiranë, të ofrohet krahas mundësisë që ofron shkolla austriake në Shkodër, edhe një tjetër kontribut për një shkollim e formim mjaft cilësor dhe me rëndësi për tregun e punës në sektorin e IT-së në Shqipëri.

Kjo u arrit falë zbatimit të një kurikule inovative të bazuar tek kompetencat sipas modelit të një shkolle të mesme profesionale austriake e tipit HTL dhe trajnimeve të vazhdueshme profesionale dhe pedagogjike si dhe mbështetjes së stafit mësimdhënës dhe drejtorisë së shkollës nga ekspertët austriakë.

Përveç këtyre u realizua edhe një program Peer-Learning me shkollën HTL Peter-Mahringer, i cili u ofroi gjithashtu mësuesve të të dy shkollave mundësinë e një shkëmbimi intensiv rreth risive e arritjeve profesionale por edhe të atyre metodike-didaktike. Në bashkëpunim me ekspertet dhe ekspertët lokalë dhe në përputhje me kurikulën u hartuan materiale mësimdhënieje e mësimnxënieje që i përshtaten fokusit e drejtimit të shkollës “Hermann Gmeiner”.

Kontakt (Përgjegjëse për fushën e arsimit)

Rreth departamentit

alle ausklappenalle einklappen
  • Në emër të Ministrisë Federale Austriake për Arsimin dhe Gratë, departamenti për bashkëpunimin arsimor pranë OeAD promovon shkëmbimin dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve arsimore në Evropën Lindore, Juglindore, dhe në Austri, me qëllim përkrahjen e zhvillimit të qëndrueshëm të reformave arsimore në nivel parauniversitar.

    Projektet zbatohen nëpërmjet zyrave të projektit, të cilat drejtohen nga koordinatorët austriak për arsimin.

    Partnerët e projekteve të OeAD janë ministritë respektive përgjegjëse për formimin dhe arsimin në nivel parauniversitar, agjencitë e formimit, institutet e trajnimit të mësueseve/mësuesve, administratat rajonale të arsimit, shkollat dhe aktorë në fushën e arsimit dhe formimit në vendet partnere të OeAD si dhe në Austri.

    Gjithashtu OeAD përkrah Ministrinë Federale Austriake për Arsimin dhe Gratë në zbatimin e programeve të mobilitetit (lëvizshmërisë) në kuadër të qendrës së shërbimit të ministrisë, për programet e mobilitetit ndërkombëtar, dhe në koordinim të prioritetit IX të strategjisë së BE-së për rajonin e Danubit „Investimi në kapacitetet njerëzore dhe në kualifikime“.

    Objektivat

    • OeAD nxit forma të reja të mësimnxënies së ndërsjellët brenda dhe midis sistemeve arsimore me qëllim promovimin e menaxhimit të ndryshimeve (change managment).
    • Fokuset tematike të OeAD orientohen tek prioritetet e përbashkëta të zhvillimit, tek pikat e përbashkëta të zhvillimeve arsimore kombëtare me ato të nivelit të BE-së. Një fushë prioritare është edhe arsimi dhe formimi profesional.
    • Shumëgjuhësia dhe shumëllojshmëria e shkollave austriake por rritet në vazhdimësi. OeAD nxit dialogun dhe bashkëpunimin midis institucioneve të arsimit në Austri dhe vendeve të origjinës nga mbërrijnë fëmijët me histori emigracioni.

    Projekte dhe Aktivitete

    Në kuadër të projekteve të veta për një përkrahje të qëndrueshme të reformave arsimore, OeAD organizon trajnime dhe këshillime, aktivitete për mësim të ndërsjellët (peer laerning), konferenca, tryeza të rrumbullkta dhe workshop-e për temat e mëposhtme:

    • Zhvillimi i cilësisë dhe menaxhimi i arsimit
    • Zhvillimi i arsimit profesional sa më pranë praktikës
    • Nxitja e bashkëpunimit shkollë – biznes
    • Prezantimi i strategjisë së re të mësimdhënies dhe mësimnxënies për promovimin e mësimnxënies së individualizuar të bazuar tek kompetenca
    • Nxitja e rrjeteve arsimore për përkrahjen e menaxhimit të ndryshimit (Change Management)
    • Nxitja e gjithëpërfshirjes sociale në arsim dhe e një qasjeje konstruktive dhe vlerësuese ndaj shumëllojshmërisë
    • Nxitja e arsimit për zhvillim të qëndrueshëm
  • Me porosi të Ministrisë Federale për Arsimin dhe Gratë dhe OeAD-s, të ngarkuarit për bashkëpunimin arsimor suportojnë shkëmbimin dhe bashkëpunimin midis institucioneve arsimore të Evropës Jugore dhe Lindore dhe Austrisë.

    Rrjeti i të ngarkuarve në fushën e arsimit përfshin dy zyrat rajonale, atë të Tiranës që është përgjegjëse për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë dhe zyra e Sarajevës përgjegjëse për Bosnje Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi si dhe zyrat e projektit Chisinau, Odessa dhe Shën Petersburg.

    Zyra rajonale Tiranë:
    Zyra rajonale Sarajevë:
    Zyra e projektit Chişinău:
    Zyra e projektit Odessa:
    Zyra e projektit St. Petersburg:

Pikat kyçe të përmbajtes:

alle ausklappenalle einklappen
  • Sipërmarrja është identifikuar si një nga 8 kompetencat kyçe në kuadrin e BE-së. Një grup i posaçëm pune në nivelin e BE-së ku ka marrë pjesë edhe Austria është marrë me çështjen se me cilat forma të mësimdhënies e mësimnxënies dhe me cilët partnerë jashtëshkollorë, shkollat mund të promovojnë shpirtin sipërmarrës dhe iniciativat personale të nxënësve. Me të njëjtën çështje po punon edhe OeAD që nga vjeshta e vitit 2014 në një projekt rajonal me ekspertë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Në këtë proces, OeAD-ja bazohet tek përvojat e veta të implementimit të mësimit për firmat ushtrimore në Evropën juglindore që prej vitit 2001.

  • Qasjet dhe instrumentet e reja të zhvillimit të cilësisë janë në fokus të zhvillimeve të vazhdueshme të arsimit në Austri dhe në vendet tona partnere. Futja e suksesshme e standardeve arsimore, vlerësimit të jashtëm të standardizuar të rezultateve, zhvillimit të cilësisë shkollore, dhe çështjeve të përdorimit të rezultateve të vlerësimeve për proceset drejtuese në fushën e arsimit kushtëzojnë ndryshime themelore në organizimin e proceseve të mësimdhënies dhe mësimnxënies dhe menaxhimin e arsimit.

    OeAD ofron në këtë fushë shërbime këshilluese për „menaxhimin e ndryshimit“. Projektet përfshijnë trajnime kualifikuese dhe formuese ose komponentë të trajnimit të trajnuesve në fushat e menaxhimit të arsimit, zhvillimit të cilësisë në nivel shkollor ose zhvillimin dhe realizimin e instrumenteve dhe trajnimeve të reja për sigurimin e cilësisë. Aktivitetet tona mbështesin shkëmbimin e përvojave me ekspertë austriakë në nivel rajonal dhe kombëtar. Aktivitetet e tjera përfshijnë këshillimin për zhvillimin e Peer Learning dhe rrjeteve arsimore me qëllim zhvillimin e cilësisë

    Shembull: Projekti i binjakëzimit - Twinning-Projekt
    Kosovë Në kuadrin e projektit të binjakëzimit të mbështetur nga BE-ja "Support for the Implementation of the Kosovo Education Strategic Plan" (2014-2016) Finlanda dhe Austria mbështesin Ministrinë kosovare të Arsimit si dhe institucionet e tjera të rëndësishme arsimore për futjen e një kurrikule të re të bazuar tek kompetencat si dhe për zhvillimin dhe futjen e një sistemi të zhvillimit të cilësisë për nivelin parauniversitar. OeAD si një partner i ri austriak ishte përgjegjës për komponentin e zhvillimit të cilësisë. Në bashkëpunim me një grup ekspertësh austriakë u prezantuan përvojat austriake për konceptimin dhe realizimin e iniciativës së cilësisë në fushën arsimore si dhe cilësisë shkollore në arsimin e përgjithshëm tek procesi i reformës në Kosovë.

    Në një proces të gjerë konsultimi me aktorët e rëndësishëm të përfshirë u analizuan mekanizmat ekzistuese të cilësisë në arsimin e përgjithshëm. Në „Strategjinë për cilësinë e arsimit të përgjithshëm në nivelin para universitar“ që u miratua nga qeveria kosovare, u identifikuan prioritetet e reformës për vendosjen e një sistemi të përgjithshëm të cilësisë në arsimin e përgjithshëm në shkollë. Për aplikimin e mekanizmave të reja të cilësisë në arsimin e përgjithshëm në nivel shkollor, administrativ dhe ministerial u mbështet nga njëra anë pala kosovare për zhvillimin e një udhëzuesi përkatës dhe një ligji të ri për inspektimin e shkollave. Nga ana tjetër u mbështet hartimi i materialeve përkatëse trajnuese.

    Në këtë mënyrë u zhvillua një kurs trajnimi për koordinatorët shkollorë të cilësisë, u trajnuan 10 trajnerë lokalë për realizimin e tij dhe u kualifikuan rreth 200 koordinatorë shkollorë të cilësisë në fushën e arsimit të përgjithshëm. Krahas kësaj në nivel komune u kualifikuan koordinatorë të cilësisë në arsimin e përgjithshëm në 24 prej gjithsej 36 drejtorive komunale të arsimit.

    Në përfundim u trajnuan përkatësisht nga 2 inspektorë shkollorë nga të gjitha inspektoratet rajonale shkollore për kryerjen e vlerësimit të jashtëm shkollor.

    Shembull: Kërkesa të reja kompetencash për drejtuesit e shkollave në Ukrainë
    Ukraina ka nxjerrë një ligj të ri arsimor për vlerësimin. Në kuadrin e këtij ligji është planifikuar një zgjerim i autonomisë shkollore për të gjitha tipat e shkollave. Autonomia e përforcuar shkollore nënkupton njëkohësisht edhe kërkesa të reja kompetencash për drejtuesit e shkollave. Një profil i ri kërkesash për drejtuesit e shkollave i bazuar tek kompetencat ka për qëllim të kontribuoj për realizimin e reformës arsimore. Eksperte nga Universiteti për Menaxhimin Arsimor në Kiev, nga një institut qendror i formimit dhe kualifikimit për personelin drejtues pedagogjik të Ukrainës, Instituti për Kualifikimin e Mësimdhënësve Odesa, Shkolla e Lartë Pedagogjike Steiermark dhe OeAD identifikuan fushat e kompetencave që do të rriten për nga rëndësia për drejtuesit e shkollave në kuadrin e autonomisë së shtuar shkollore. Në shkëmbimin e përvojave midis ekspertëve austriak dhe ukrainas po shqyrtohet mundësia se si mund të integrohet në mënyre optimale përvetësimi i këtyre kompetencave në aktivitete ekzistuese trajnuese. Në fokus të shkëmbimit të përvojave qëndron përvetësimi i kompetencave sociale dhe personale të drejtuesve të shkollave. Në seminare të përbashkëta hartohen përmbajtjet, testohen metodat dhe reflektohet vazhdimisht rreth tyre. Modulet e përgatitura integrohen tek programi i kualifikimit të Universitetit të Menaxhimit të Arsimit dhe Institutit për Kualifikimin e Mësimdhënësve Odesa. Paralelisht kualifikohen trajnues nga Universiteti i Menaxhimit të Arsimit dhe Instituti për Kualifikimin e Mësimdhënësve Odesa për realizimin e moduleve të reja trajnuese arsimore.

    Shembull: Udhëzues për drejtuesit e rinj të shkollave, këshillues dhe shoqërues për drejtuesit e rinj
    Në Bosnje dhe Hercegovinë u hartua një udhëzues për drejtuesit e rinj të shkollave në koordinim me të gjitha Ministritë e Arsimit dhe Institutet Pedagogjike. Ai u hartua në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësues të Agjencisë së Arsimit Parashkollor, Fillor e të Mesëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, përfaqësues nga Ministritë e Arsimit të të dy entiteteve dhe të 9 kantoneve si dhe me përfaqësues nga distrikti Brčko. Në fokus të përmbajtjeve të këtij udhëzuesi gjenden: programi dhe planifikimi, menaxhimi i konfliktit, puna me projektet, menaxhim zyre, mbledhjet dhe menaxhimi i organizimit, menaxhimi i personelit, planifikimi strategjik, marketimi, puna pedagogjike, sigurimi i cilësisë / vlerësimi, diversiteti, gjithë përfshirja dhe nevojat individuale të të nxënit dhe bashkëpunimi midis shkollave, prindërve dhe komunitetit. Në bashkëpunim me institutet pedagogjike OeAD mbështet më tej zhvillimin e punëtorive hyrëse për përdorimin e udhëzuesit për drejtuesit e rinj të shkollave në vitin e tyre të parë të punës.

  • Përçimi i kompetencave të reja kyçe në një shoqëri globale që ndodhet në ndryshim të vazhdueshëm dhe në tregjet e punës që po transformohen gjithmonë e më shpejt, përbën një sfidë themelore për arsimin. E lidhur edhe me një orientim gjithmonë e më të madh nga kompetencat kjo e kthen zhvillimin dhe futjen e formave dhe mjeteve të reja të mësimdhënies dhe mësimnxënies në një prioritet tjetër të reformave arsimore në të gjitha fushat me të cilat lidhet edhe zhvillimi i trajnimeve të tjera përkatëse formuese kualifikuese dhe strukturave përkatëse për mësimdhënësit.

    Fokusi i punës së OeAD-së lidhet me shkëmbimin e përvojave në fushën e të nxënit bazuar në kompetenca dhe vlerësimin e rezultateve, mjetet e reja të mësimdhënies dhe mësimnxënies për përçimin e kompetencave kyçe dhe individualizimin e proceseve të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Fushat ndërdisiplinare si trajtimi i larmishmërisë dhe arsimimi për një zhvillim të qëndrueshëm përbëjnë çështjet kryesore të punës sonë.

    Shembull: Futja e standardeve arsimore nën shembullin e matematikës dhe kompetencave sociale. Odesa dhe rajoni i Odesas:
    Nxjerrja e standardeve të reja në arsim përbën një nga sfidat e institucioneve arsimore në Ukrainë. Standarde të reja të arsimit u nxorrën me anë të një ligji që u njoh nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe që prej vitit 2012 po implementohen hap pas hapi. Ekzistojnë tashmë materiale dhe direktiva të reja mësimore, por nevojitet ende mbështetje për implementimin praktik të standardeve arsimore dhe realizimin e tyre në mësim. Për këtë qëllim nevojiten strategji të reja të mësimdhënies dhe mësimnxënies dhe paralelisht me to trajnime kualifikuese për mësimdhënësit.

    Standardet mësimore në Ukrainë janë futur mbi bazë lëndësh dhe mbulojnë përkatësisht disa fusha lëndore. Për shembull në lëndën e matematikës – shkolla fillore, në kuadrin e këtij projekti u mbështetën Instituti i Kualifikimit të Mësimdhënësve në Odesa dhe qendrat metodike në mënyrë që me ndihmën e ekspertëve nga Shkolla e Lartë Pedagogjike në Oberösterreich të zhvillonin programe trajnimi dhe seminare mbështetëse për mësimdhënësit, me qëllim realizimin e standardeve në fushën e arsimit fillor dhe më pas t`i pilotonin këto së bashku. Rezultatet e projektit u përmblodhën në një publikim.

    Një analizë e rezultateve të projektit paraprak për realizimin e standardeve arsimore në lëndën e matematikës tregoi se ekziston para së gjithash nevoja për një thellim të realizimit të të nxënit të hapur dhe hartimin e materialeve mësimore, që krahas përçimit të kompetencave lëndore, mundësojnë edhe të nxënit social nga nxënësit. Në kuadrin e zhvillimit të cilësisë në Institutin Rajonal të Kualifikimit të Mësimdhënësve Odesa, programi mësimor i institutit u ristrukturua në module të bazuara tek kompetencat. Në këtë kuadër u nxorën module për edukimin për shoqërinë, TIK-un, kulturën dhe sipërmarrjen, edhe kompetencat sociale përpunohen në këtë projekt. Për të mbështetur përvetësimin e kompetencave sociale nuk mjafton vetëm realizimi i metodave përkatëse. Vetëm një ndërveprim midis aplikimit të metodave, reflektimi rreth aplikimit dhe përjetimit të kompetencës sociale nëpërmjet zgjerimit të kompetencës personale, mundësojnë një realizim të plotë të ambienteve të mësimdhënies e mësimnxënies për përvetësimin e kompetencave sociale. Prandaj edhe është i domosdoshëm një zhvillim i këtyre proceseve nga të gjithë aktorët pjesëmarrës, çka garantohet në kuadrin e këtij projekti dhe transmetohet me mbështetjen e ekspertëve austriakë, ndër të cilat edhe nga Shkolla e Lartë Pedagogjike në Oberösterreich. Grupet e synuara janë kryesisht mësimdhënësit e rinj në shkollat pilote të rajonit të Odesës si dhe metodologë të Institutit të Kualifikimit të Mësimdhënësve Odesa dhe të qendrave metodike nga rajoni i Odesës. Duke u bazuar tek këto procese mësimore, pilotohen metoda për përçimin e kompetencave sociale në shkolla. Duke u bazuar tek nevojat për trajnimin e mësimdhënësve përshtatet edhe programi i kualifikimit të Institutit të Trajnimit të Mësimdhënësve në Odesa dhe trajnohet stafi për përçimin e metodave të reja.

    Shembull: Portofole mësimore të bazuara tek kompetencat. Shqipëria
    Në vitin shkollor 2016/17 Ministria Shqiptare e Arsimit filloi punën me „futjen gjithëpërfshirëse të një kurrikule të bazuar në kompetenca“. OeAD mbështeti realizimin e të nxënit të bazuar në kompetenca nëpërmjet zhvillimit e futjes së një portofoli të të nxënit për nxënësit në lëndët apo fushat lëndore gjuhë shqipe, matematikë, shkenca të natyrës, shkenca sociale dhe IT. Në kuadrin e projektit u zhvilluan programe trajnuese për mentorët, institucionet mbikëqyrëse dhe mësimdhënësit. Përfaqësues nga 13 drejtori rajonale arsimore, 30 drejtues/drejtuese shkollash dhe 100 mësimdhënës nga 30 shkolla u trajnuan për nxjerrjen e portofolit të të nxënit. Këto shkolla shërbejnë si qendra burimi për futjen e portofolit të të nxënit në shkollat e tjera.

  • Formimi dhe kualifikimi profesional me orientim praktik i cili reagon në mënyrë fleksible ndaj nevojave të tregut të punës që ndryshojnë gjithmonë e më shpejt, që disponon mekanizma për sigurimin e cilësisë dhe që ofron programe të larmishme me transparencë horizontale dhe vertikale, përbën një prioritet të lartë në BE dhe në vendet tona partnere.

    OeAD ofron mbështetje për zhvillimin e profileve arsimore me orientim praktik dhe për zhvillimin e profileve shkollore rajonale. Ne mbështesim format e reja të bashkëpunimit midis shkollave dhe ekonomisë dhe ofrojmë këshillim për zhvillimin e kurrikulave dhe materialeve mësimore. Komponentë të rëndësishëm të projekteve tona janë gjithashtu trajnimet e mësimdhënësve, formimi i multiplikatorëve, trajnimi i drejtuesve të shkollave lidhur me format e reja të menaxhimit dhe zhvillimit të cilësisë si dhe integrimi i teknologjive të informacionit dhe komunikimit në arsimin profesional (p.sh. në formën e Digital Business). Në fokus të përmbajtjeve gjenden fushat e formimit ekonomik, turizmit dhe IT-së.

    Shembull: Entrepreneurship Learning
    Promovimi i sipërmarrjes si një motor për zhvillimin ekonomik, por edhe si një kompetencë kyçe që i lejon gjithsecilit shpalosjen më të mirë të mundshme të potencialit personal, përbën një prioritet zhvillimi brenda BE-së dhe më gjerë. Formimi dhe arsimimi luajnë një rol kyç në këtë kontekst, por për promovimin e suksesshëm të “Entrepreneurship Learning” nevojiten qasje e mjete të reja të mësimdhënies dhe mësimnxënies si dhe partneritete të reja me biznesin. Duke u bazuar tek përvojat e implementimit të mësimit të firmave ushtrimore në Evropën Juglindore që prej vitit 2001, OeAD/KKA po punon duke filluar që prej vjeshtës 2014 me projektin rajonal „Entrepreneurship Learning“ me ekspertë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia për futjen e metodave të reja të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Në të tre vendet gjendet tashmë lënda e „Sipërmarrjes“ në shkollat profesionale të paktën në programin e një viti shkollor. Qëllimi i projektit është dhënia e një kontributi për përmirësimin e cilësisë së mësimit në fushën e sipërmarrjes në arsimin profesional.

    Në kuadrin e projektit u trajnuan 17 multiplikatorë nga të tre vendet për përçimin e qasjeve të reja të mësimdhënies dhe mësimnxënies dhe u zhvilluan module trajnimi për “Entrepreneurship Learning”. Ato shërbejnë si bazë për formimin e rreth 250 mësimdhënësve në mbi 130 shkolla profesionale në tre vendet partnere për vënien në jetë të qasjeve inovative të të nxënit për promovimin e “Entrepreneurship Learning”. Paralelisht me këtë u zhvillua një instrument (toolkit) shumë gjuhësh që iu vendos në dispozicion shkollave profesionale të vendeve përkatëse për fushën e “Entrepreneurship Learning”. Në kuadrin e qasjeve inovative të të nxënit, një fokus i rëndësishëm qëndron tek bashkëpunimi midis shkollës dhe ekonomisë.

    Shembull: VEN – Gjenerimi i të ardhurave në shkollat e arsimit profesional dhe shkolla e kolegje
    Qëllimi i projektit është që së bashku me palët vendimmarrëse dhe përfaqësues nga shkollat të përmirësohen mundësitë e gjenerimit transparent të të ardhurave të shkollave profesionale për rritjen e cilësisë së arsimit profesional. Në kuadrin e projektit në fazën e parë, mbi bazën e një shqyrtimi të nevojave të shkollave, u mbështetën 7 shkolla të arsimit profesional me potencial për gjenerim të ardhurash me qëllim zhvillimin e sipërmarrjes shkollore dhe që brenda kuadrit të kushteve të përgjithshme ekzistuese ligjore të hidhnin hapat e parë për gjenerimin transparent të të ardhurave. Shkollat hartuan plan biznese, i realizuan ato në kuadrin e profileve arsimore për gjenerimin e të ardhurave dhe vendosën një menaxhim transparent financiar që mundësonte ri-investimin e mjeteve shtesë për përmirësimin e cilësisë së programeve shkollore. Krahas kësaj, në një studim paralel u shqyrtuan mundësitë e gjenerimit të të ardhurave brenda kushteve të përgjithshme ekzistuese ligjore dhe në bashkëpunim me vendimmarrësit nga ministritë përkatëse u përpunuan rekomandime lidhur me ndryshimet e rëndësishme ligjore të nevojshme për mundësimin e gjenerimit efecient e transparent të të ardhurave për rritjen e cilësisë në shkollat e arsimit profesional.

    Bazuar tek këto përvoja do të mbështetet grupi i punës ndërministerial për gjenerimin e të ardhurave për zhvillimin e një plan veprimi me qëllim futjen e gjenerimit shkollor të të ardhurave. Bazuar mbi të e në koordinim me ministritë përkatëse do të hartohen udhëzues, dokumente dhe instrumente për realizimin e gjenerimit transparent të të ardhurave si dhe do të shqyrtohen nevojat për programe trajnuese dhe struktura mbështetëse. Në bashkëpunim me institucionet partnere të përfshira do të zhvillohen dhe pilotohen programe trajnimi për të gjitha nivelet e sistemit arsimor. Krahas kësaj grupi i punës ndërministerial do të marrë një mbështetje në çështjet e përshtatjes së kushteve të përgjithshme ligjore. Në këtë projekt OeAD bashkëpunon me shërbimin e zhvillimit të Lihtenshtejnit LED.

    Shembull: Bashkëpunimi shkollë-ekonomi në fushën e turizmit
    Kusht paraprak për një arsim profesional me cilësi të lartë dhe me rëndësi për tregun e punës është një bashkëpunim i ngushtë midis arsimit profesional dhe biznesit. Qëllimi i projektit rajonal „Bashkëpunimi shkollë-ekonomi“ është rritja e cilësisë së formimit praktik të nxënësve nëpërmjet përmirësimit të bashkëpunimit midis partnerëve të subjekteve ekonomike në fushën e turizmit dhe shkollave industriale dhe të turizmit. Në fokus qëndron organizimi i praktikave mësimore cilësore pranë subjekteve ekonomike. Tek rezultatet e projektit përfshihet përpunimi dhe vendosja e një profili të zgjeruar detyrash për koordinatorët shkollorë të praktikave profesionale si pika kontakti midis shkollave dhe subjekteve ekonomike, veçanërisht për organizimin e praktikave pranë subjekteve. Për realizimin e profilit të ri të detyrave do të zhvillohen udhëzues që përmbajnë edhe masa për konsolidimin e bashkëpunimit shkollë-ekonomi në zhvillimin e cilësisë shkollore. Për përmirësimin e kalimit të informacionit midis subjekteve dhe shkollave do të ndërtohen portale kombëtare web-i dhe mekanizma të tjerë përhapës. Fokusi rajonal i projektit mundëson shkëmbimin e përvojave në këtë fushë midis Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë dhe Austrisë.

    Për konsolidimin e profilit të ri të detyrave të koordinatorëve të praktikave profesionale në sistemet arsimore, në mbarë vendin do të organizohen workshop-e me palët e rëndësishme të interesit. Përfaqësues nga rreth 50 shkolla që ofrojnë degë në fushën e turizmit do të trajnohen lidhur me përmirësimin e bashkëpunimit me subjektet ekonomike për përmirësimin e cilësisë së praktikave profesionale pranë kompanive. Udhëzuesi për koordinatorët e praktikës profesionale si dhe shembuj të praktikave të mira të bashkëpunimit midis shkollave dhe subjekteve do të mbështesin shkollat për të zgjeruar më tej bashkëpunimin e tyre me biznesin.

  • OeAD angazhohet që me punën e vet të trajtoj në mënyrë gjithëpërfshirëse larminë dhe ndryshimin. Prandaj shoqata i organizon aktivitetet e veta duke marrë në konsideratë një qasje, e cila ofron shanse të barabarta për të gjithë tek arsimi, kultura dhe arti.

    Respektimi i larmisë dhe ndryshimit të njerëzve, vlerësimi i individualitetit dhe personalitetit të tyre, promovimi dhe mbështetja e potencialeve të gjithësecilit, përbëjnë bazat e punës sonë. Ky qëndrim pasqyrohet në programet tona të punës dhe në përzgjedhjen e grupeve tona të synuara.

    Prandaj për ne është mjaft e rëndësishme që në fushën e arsimit, projektet tona të japin një kontribut maksimal për një akses shansesh të barabarta tek një arsimim cilësor për këdo duke konsideruar larminë dhe ndryshimin e tyre.

    Krahas kësaj, një vëmendje e veçantë i kushtohet projekteve që mbështesin zhvillimet arsimore për përforcimin e shanseve të barabarta dhe gjithëpërfshirjes sociale.

    Shembull: SEN (Special Educational Needs) – Në rrugën drejt një shkolle gjithëpërfshirëse
    Arsimi gjithëpërfshirës ka zënë vend tashmë në strategjitë dhe juridiksionin kombëtar të Republikës Moldave. Për të përmirësuar në vazhdimësi aksesin tek arsimi dhe cilësinë e tij për fëmijët me nevoja të veçanta, ekziston ende një nevojë e madhe për mbështetje për realizimin. Një rol të rëndësishëm në këtë proces marrin qendrat e shërbimit psiko-social dhe qendra e tyre kombëtare e koordinimit (qendra për asistencë psiko-sociale), të cilat mbështesin ne terren gjithëpërfshirjen shkollore në secilin prej 35 qarqeve të Moldavisë. Shkëmbimi i përvojave me Austrinë dhe ekspertiza ekzistuese në fushën e gjithëpërfshirjes po përdoren duke u bazuar edhe tek rezultatet e projekteve paraardhëse për të përforcuar më tej kapacitetet dhe mënyrën e funksionimit të Qendrës Kombëtare te Koordinimit dhe 35 qendrave të shërbimit. Qendra kombëtare po jep mbështetje në procesin e shoqërimit të unifikimit të vazhdueshëm dhe përmirësimit të shërbimeve këshilluese të ofruara nga qendrat e shërbimit si dhe për të garantuar cilësinë e tyre. Specialistët dhe specialistet në qendrat e shërbimit po trajnohen, në mënyrë që me anë të veprimtarisë së tyre këshilluese në shkolla dhe punës së drejtpërdrejtë me fëmijët dhe të rinjtë me nevoja të veçanta si dhe ambientin e tyre të mund të kontribuojnë në mënyrë kompetente dhe profesionale për një gjithëpërfshirje të suksesshme shkollore. Ekspertët austriakë bashkëpunojnë me kolegët e tyre moldav në kuadrin e trajnimeve lëndore lidhur me tematikat e problemeve me shikimin, dëgjimin si dhe autizmin. Lidhur me këto tematika kanë dalë edhe publikime në gjuhën rumune.

    Shembull: GENDER: Promovimi i aksesit të vajzave tek profesionet teknike
    Në Shqipëri sikurse edhe ne Austri vajzat janë të nënpërfaqësuara tek profesionet teknike. Vetëm 18% e të gjithë nxënësve të shkollave të arsimit profesional në Shqipëri janë të gjinisë femërore. Sektori i IT-së, si një fushë teknike me shanse të mira në tregun e punës dhe nivel relativisht të larte të ardhurash, paraqitet si një fushë e rëndësishme për marrjen e masave për rritjen e aksesit dhe përqindjes së vajzave. Për këtë qëllim do të zhvillohen workshop-e me 16 shkolla shqiptare të arsimit profesional, të cilat ofrojnë edhe një formim teknik në fushën e IT-së për t’ju drejtuar vajzave dhe prindërve dhe për t`i tërhequr ata për një formim e arsimimi në fushën e IT-së. Në kuadrin e këtyre workshop-eve, mësimdhënësit trajnohen intensivisht lidhur me konceptet e barazisë gjinore, metodat mësimore me ndjeshmëri gjinore, zhvillimin e një kulture shkollore me ndjeshmëri gjinore si dhe mbështeten për zhvillimin e materialeve, aktiviteteve dhe projekteve promovuese me ndjeshmëri gjinore. Po përpunohet një plan veprim për të gjitha shkollat, i cili do të zër vend dhe realizohet në qendrat përkatëse shkollore.

    Shembull: Equity Scan
    Të gjitha projektet e OeAD-s në fushën e bashkëpunimit arsimor i nënshtrohen një „Equity Scan-i“, për të rritur „Equity Relevancy“ të projekteve.

  • Shkëmbimi i përvojave midis ekspertëve dhe vendimmarrësve në nivel kombëtar, rajonal dhe evropian si dhe zhvillimi i rrjeteve përkatëse, po kthehen në një element gjithmonë e më të rëndësishëm të reformave të suksesshme arsimore.

    Falë bashkëpunimit me ERI SEE (Education Reform Initiative of South Eastern Europe), OeAD/KKA kontribuon për bashkëpunimin rajonal në nivel politik arsimor. Duke bashkuar resurset me institucionet e rëndësishme partnere, mbështeten fokuset tematike rajonale në procesin e integrimit të BE-së në kuadrin e të ashtuquajturave „Clusters of Knowledge“.

    Shembull: Western Balkans Alliance for Work Based Learning
    Konferencë në Vjenë: Building a Western Balkans Alliance for Work Based Learning – Austria mbështet shtetet e Ballkanit perëndimor për përmirësimin e sistemeve arsimore dhe profesionale (18 maj 2015 me ftesë nga BMB, BMWFW, BMeiA, ADA, WKO dhe OeAD).

    Njoftim për shtyp nga BMB:

    "Një arsimim me baza të forta është guri themelor për një karrierë të suksesshme dhe siguria më e mirë kundër papunësisë. Është pikërisht praktika profesionale pranë subjekteve ekonomike ajo që paraqet një model shembullor që ka ndeshur interes të madh në nivel ndërkombëtar. Për këtë arsye, ne dëshirojmë të mbështesim edhe vende të tjera për të ndërtuar një sistem të suksesshëm. Nëpërmjet përfshirjes së kompanive austriake me qendrat e tyre të prodhimit sigurohet një vlerë e shtuar për ekonominë vendase“, thekson zv/kryeministri dhe ministri i ekonomisë Reinhold Mitterlehner me rastin e konferencës ndërkombëtare të Ballkanit Perëndimor që zhvillohet sot ne Vjenë. Motoja e kësaj konference është „arsimi profesional dual dhe format e tjera të të nxënit që lidhen me vendin e punës“. Në kuadrin e procesit të Berlinit në gusht 2015 Austria ka deklaruar tashmë se do të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor. Me ftesë nga Ministritë Federale të Shkencës, Kërkimit dhe Ekonomisë (BMWFW), Arsimit dhe Grave (BMBF) dhe të Evropës Integrimit dhe Çështjeve të Jashtme (BMEIA), në datën 18 maj 2016 u mblodhën ne Vjenë ekspertë ndërkombëtarë të fushës së arsimit dhe të së drejtës së punës si dhe përfaqësues të lartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

    Gjatë konferencës së organizuar në bashkëpuni me Dhomën Ekonomike të Austrisë (WKÖ), Austrian Development Agency (ADA) dhe OeAD fokusi u vendos tek dialogu rajonal ndërmjet politikës, institucioneve të arsimit profesional, aktorëve nga fusha ekonomike private dhe shoqërisë civile. Falë bashkëpunimeve inovative midis sektorit të arsimit dhe atij privat synohet që në të ardhmen të intensifikohet bashkëpunimi i përbashkët dhe të mbështetet identifikimi dhe shfrytëzimi i sinergjive të aktiviteteve aktuale, veçanërisht atyre me mbështetje austriake.

    Arsimi profesional në Austri prej vitesh është kthyer në fokus dhe në një komponent të përhershëm të bashkëpunimit për zhvillim. Në këtë mënyrë në vendet partnere te EZA-s mbështeten në mënyrë aktive procese reformash në fushën e arsimit nëpërmjet projekteve dhe programeve të larmishme. „Specialistët e mirë kualifikuar përbëjnë parakushtin për investimet dhe njëkohësisht për rritjen ekonomike dhe vendet e punës. Një ekonomi e qëndrueshme në shtetet tona fqinje në Ballkanin Perëndimor ka qenë prej kohësh në interesin tonë, prandaj akoma më e rëndësishme është që të kontribuohet për këtë nëpërmjet promovimit të sistemit dual të arsimimit,“ shprehet i bindur ministri i jashtëm Sebastian Kurz „Një arsimim i mirë i krijon njerëzve perspektiva dhe i përgatit ata për kërkesat e një ekonomie gjithmonë e më globale”.

    „Është mjaft e rëndësishme që në arsimin profesional të vihet në dispozicion një larmi programesh mësimore dhe që të rinjtë të mund te arsimohen në degët që ju përgjigjen interesave dhe prirjeve të tyre. Pikërisht në këtë pikë ndërhyn Ministria Federale e Arsimit dhe Grave në bashkëpunim me shtetet e Ballkanit Perëndimor. OeAD/KKA dhe aktorët e tjerë austriakë në fushën e arsimit japin mbështetje me porosinë tonë prej më tepër se 25 vitesh lidhur me format e arsimit dhe formimit në vendet partnere nëpërmjet projekteve të qëndrueshme. Kështu p.sh. në koordinim të ngushtë me autoritetet përkatëse dhe partnerët socialë po përmirësohet cilësia e praktikave profesionale në rreth 60 shkolla turizmi në Bosnjë Hercegovine, Mal të Zi dhe Serbi. Në Shqipëri po punohet për rritjen e aksesit të vajzave në shkollat profesionale të IT-së. Më tepër se 130 shkolla të arsimit profesional në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni po marrin mbështetje për promovimin e edukimit sipërmarrës. Me anë të masave të tilla po përmirësohen dukshëm në terren shanset e aksesit të të rinjve në tregun e punës”. Kështu shprehet Hans Peter Huber, drejtuesi i grupit të çështjeve ndërkombëtare në Ministrinë e Arsimit dhe Grave.

    Në përfundim të konferencës, të gjithë pjesëmarrësit bien dakord për „Western Balkan Alliance for Work Based Learning“ - principe dhe iniciativa të përbashkëta për zhvillimin e mëtejshëm të sistemeve mjaft cilësore të arsimit profesional në fushën e të nxënit që lidhet me vendin e punës në Ballkanin Perëndimor.

    Deklarata e përbashkët e përfunduar u paraqit në korrik 2016 në samitin e tretë të Ballkanit Perëndimor në Paris.

    Linku i deklaratës së përbashkët